Në familjen e Enver Ballës janë hapur dyert e mortit për ta përcjellë në banesën e fundit pas vrasjes monstruoze nga i biri.
Jashtë kamerave, familjarët dhe fqinjët shprehen mosbesues për motivin e krimit dhe për mënyrën si janë shpenzuar paratë që mungonin, por të vërtetën e ngjarjes e di vetëm Esmeraldi.
“Ka qenë djalë i mirë. Ishin tre djem. Dy të tjerët ishin në Itali, ky ka ndenjur këtu me të atin e vetë. Çuni më i mirë ka qenë, s’ma ka marrë mendja gjallë në botë. S’më mbushej mendja që i ati merrte kursimet“, thotë një nga fqinjët.
Para uniformave blu, Esmerald Balla ka treguar se më 13 gusht, si çdo ditë me të atin, shkoi për t’u kujdesur për kafshët në stanin e tyre dhe aty ka nisur konflikti, fillimisht për kujdesin e kafshëve, më pas biseda ka vijuar për kursimet e familjes që mungonin, pasi Esmeraldi po ndërtonte një shtëpi të re dhe duhet t’i jepte ndërtuesit 30 mijë euro. Sipas tij, gjatë debatit, babai ka pranuar se paratë i ka prishur dhe në debat e sipër i ka nxjerrë armën, e ka mbushur dhe ia ka drejtuar të birit.
Në këto kushte, thotë Esmeraldi, për të mbrojtur veten, ka tentuar t’i marrë pistoletën nga dora, por ajo është shkrepur dhe e qëlloi dy herë në gjoks Enver Ballën.
Veprimet e ndodhura më pas tregojnë se kjo nuk ishte një vrasje e pakujdesshme, ashtu sikurse pretendon 30-vjeçari. Për të mbuluar krimin monstruoz, Esmerald Balla, me ndihmën e një shoku, Edison Brahajt, i cili arrestua si bashkëpunëtor, sollën trupin e pajetë të Enver Ballës në një stan të braktisur dhe e hodhën në një pus 5 metra të thellë ku qëndroi për 21 ditë.
Ftohtësia e të birit vijoi edhe pas hedhjes në pus, duke e mbuluar trupin me goma dhe mbeturina, derisa ngjarja doli në dritë pas 22 ditësh