Këngëtarja e njohur, Elsa Lila ka ndarë detaje tronditëse në librin e saj të parë të titulluar “Mirë se vini në Rebibbia”.
Në këtë libër ajo ka përshkruar përvojën e vështirë që ka kaluar gjatë qëndrimit në një prej burgjeve të Italisë
pasi u arrestua si pjesëtare e një organizate kriminale.Elsa Lila ka rrëfyer për gazetaren Rudina Xhunga sesi një vajzë shqiptare i shpëtoi jetën kur një tjetër e burgosur tentoi ta vriste.
Menjëherë pas arrestimit, këngëtarja është futur në regjimin 41-bis pa mundur të komunikonte me botën jashtë. Ajo shpjegoi më tutje se falë ndërhyrjres së të burgosurës me origjinë shqiptare dhe ndërhyrjes së garidaneve të burgut, mundi t’i shpëtonte rrezikut, shkruan Newsbomb.al.
“Atë mëngjes, kur më arrestuan, ndenja 3 ditë në burg dhe prita që të më kthenin mbrapsht,
sepse kisha vajzën vetëm. Por jo vetëm që nuk u ktheva, por më futën në izolim 41 bis sepse akuza ndaj meje ishte shumë e rëndë, kishte të bënte me një grup kriminal. Deri në momentin që ata mbaruan hetime unë nuk komunikova me asnjë jashtë, apo edhe me klanet brenda burgut.
Vetëm me një klan, nëpërmjet vajzës shqiptare që m’u gjend afër ato ditë dhe më mbrojtën nga njerëz që donin të më vrisnin. Sepse aty brenda siç ka të dënuara të pafajshme, ka edhe të dënuara me faj që nuk janë në ekuilibër mendor edhe e shfryjnë stresin e tyre diku tjetër. Mund të të dëmtojnë edhe rastësisht. Është një ambient me shumë probleme psikologjike.Mua më mbajtën dy muaj në burg, nuk më bënë as gjyq. Kërkova me ngulm të më merrte në pyetje prokurori.
Unë nuk i njihja të arrestuarit e tjerë, veç dy miqve të mi prej fëmijërisë që ishin në Romë si emigrantë. E gjithë lidhja ishte vetëm kjo. 29 persona janë akoma në burg. Veç unë kam dalë. Nuk e di nëse ai grup ekzistonte apo jo. Sepse unë nuk jam pjesë e asnjë lloj grupi.
Nuk kishte prova për akuzat ndaj meje.Ndërkohë që unë isha në burgim, u zbërthye telefoni im, celula im nuk rezultoi në ato lartësi gjeografike që operonte grupi kriminal. Unë operoja veç në Romë, ndërsa ai grupi ishte jashtë Romës, në vende që unë s’kam qenë kurrë.
Unë arrestohem në 2022-shin dhe duhet të jepja llogari për ngjarje të ndodhura nga janari deri në qershor të 2019-ës. Edhe u arrestova pas 3 vjetësh. E tmerrshme.”,
ka rrëfyer Elsa Lila.Këngëtarja shqiptare është arrestuar në mars të vitit 2022 si pjesëtare e një grupi të strukturuar kriminal të cilët si veprimtari kryesore kishin trafikimin e lëndëve narkotike. Elsa akuzohej se luante rolin e financieres së këtij
grupi si dhe në atë kohë iu gjet dhe një bllok me shënime ku u raportua se ishin kontakte dhe të dhëna kryesore për tregëtinë e kokainës. Ajo u lirua në maj po të atij viti tek u shpall e pafajshme nga autoritetet italiane.