Të tjera detaje bëhen me dije nga ndarja e parakohshme nga jeta e ish-deputetit demokrat që tronditi politikën, Gert Bogdani.
Gazetarja Alma Demiraj raportoi në edicionin e lajmeve në Top Channel se Bogdani ndodhej në një konferencë në një hotel në Tiranë me dy miq të tij amerikan, por papritur nuk është ndjerë mirë.
Ai është larguar për në tualet, por vonesa ka shkaktuar shqetësim te dy miqtë e tij, të cilët kur kanë shkuar e kanë gjetur pa ndjenja.
Ata kanë lajmëruar menjëherë urgjencën, e cila e ka dërguar në QSUT, por në gjendje shumë kritike.
Mjekët u përpoqën për rreth një orë që ta shpëtonin 44-vjeçarin përmes aparaturave, por ai nuk ia doli dot.
Mësohet se ai nuk ka pasur sëmundje apo probleme kardiovaskulare, ndërsa pritet autopsia që do të nxjerrë shkakun se pse ka pësuar arrest kardiak. Diagnoza momentale është arrest kardiak respirator.
Ish deputeti ka pasur tre ditë më parë temperaturë, por nuk dihet nëse kjo ka ndikuar.