Reshjet intensive të shiut ditën e premte shkaktuan përmbytje masive në shumë qytete të vendit.
Meteorologu Hakil Osmani ndau parashikimet për motin gjatë fundjavës. Ai theksoi se paraditja e së shtunës do të jetë me kthjellime në të gjithë territorin, ndërsa vranësirat pritet të rikthehen gjatë pasdites.
“Pasditja pritet të sjellë vranësira që mund të krijojnë mundësi për reshje, por ato do të jenë në sasi të pakta, kryesisht në zonat lindore dhe më pak në ato qendrore”, tha Osmani.
Sa i përket qyteteve bregdetare si Vlorë, Durrës dhe Lezhë, meteorologu parashikoi se reshjet do të jenë shumë të pakta dhe nuk do të kontribuojnë në përkeqësimin e situatës së përmbytjeve. Edhe ditën e diel, reshjet do të jenë të pranishme, veçanërisht në zonat veriore, me rebeshe intensive në ato lindore.
“Fundjava sjell përmirësim sa i përket kushteve atmosferike. Në mëngjesin e së shtunës, në të gjithë territorin e vendit do të kemi intervale të gjata me kthjellime. Këto do të vazhdojnë të jenë të pranishme deri në mesditë, ndërkohë që pasditja pritet të sjellë rikthimin e vranësirave, të cilat do të krijojnë mundësi për reshje, por në sasi të pakta.
Reshjet do të jenë më të shpeshta në zonat lindore dhe shumë më pak në ato qendrore. Ndërsa qytetet bregdetare si Vlorë, Durrës dhe Lezhë priten të kenë shumë pak reshje dhe nuk do të ndikojnë në përkeqësimin e situatës së përmbytjeve që ato po përballen. Reshjet pritet të jenë të pranishme edhe ditën e diel, kryesisht në zonat veriore dhe më pak në ato qendrore, me rebeshe intensive të herëpashershme në zonat lindore”, tha Osmani